Dal libro "FAVOLE DAL DESERTO"
Nga libri  " PËRRALLA TË SHKRETËTIRËS"    
Kėshtu ka lindur shkretėtira .

Ngandonjëherë, pasditeve të gjata,edhe Zoti mërzitej nga monotonia bojëqielli e hapësirave të pafund.
Një ditë të plotfuqishmit i erdhi një mendim:do t'i vihej punës me shumë kujdes,për të krijuar diçka që t'i tërhiqte gjithmonë vëmendjen.
Shpërndau në qiell një grusht me yje,që me shkëlqimin e tyre të mbysnin errësirën e natës.
Pastaj gatoi një lëmsh të madh dhe e lëshoi në hapësirë;ndodhi kështu që Toka filloi të rrotullohej rreth vetes,duke besuar vërtetë se me mendimin se ishte qendra e kozmosit për derisa çdo mëngjes edhe dielli ngjitej lart në qiell për ta ndriçuar me orë të tëra.
Zoti shikonte nga larg të ardhmen e krijesës së vet ishte i lumtur që e kishte sjellë në jetë.
Nga dita në ditë vazhdoi t'i jepte pa kursyer Tokës ndonjë dhuratë:dheun e thatë e ndau nga ujërat;u shfaqën pemët,që u rritën derisa u bënë pyll i harlisur;lule të çdo ngjyre çelnin për të kënaqur vështrimin e krijuesit të tyre.
Zogj dhe kafshë të çdo lloji shumoheshin dhe përhapeshin në të gjithë rruzullin.
Ujërat e detrave, lumenjve e liqeneve rritnin peshq të çdo lloj forme e përmase.
Një ditë Zoti vendosi të kurorëzonte një mbret e një mbretëreshë,që ta qeverisnin Tokën dhe t'i gëzonin të mirat:krijoi burrin dhe gruan.
Ata nuk ishin si kafshët e tjera:ecnin mbi dy këmbë.Pasardhësit e tyre dalëngadalë pushtuan të gjithë planetin.
Krijuesi shikonte nga larg dhe admironte bijtë e lindur sipa shëmbëllimit të tij.
Por, me kalimin e kohës, vuri re se bukuria e njerëzve nuk ishte e plotë:u mungonte shpirti!
Ndodhi atëherë që Zoti vendosi të shpërblente çdo burrë e çdo grua me gjënë më të bukur që mund të zotëronin ata,diçka që përmbante në vetvete pasurinë më të çmuar të botës.
Mori një copë qiell,kapi disa reze dielli dhe i përzieu me lëndë të parfumosura e petale lulesh.Herë pas here spërkaste atë brumë me ujin e detit e gurgullimën e përrenjve.
Pak nga pak, ndërsa përziente brumin,herë pas here, ngjizte në të pak frymë prej inteligjencës së tij.
Më në fund,thirri në kuvend të gjithë burrat e gratë e tokës dhe u dhuroi secilit prej tyre një pjesë nga ai brumë:shpirtin.Të gjallëruar nga kjo dhuratë e çmuar,ata u shndërruan në qenie inteligjente, të paisur me gjykim e vullnet,të zotët të shijonin gjërat më të vyera.
Sytë e tyre shndrisnin si yjet e kupës së qiellit.
Por dikush,atë ditë,përfat të keq,arriti me vonesë në banketin e Zotit:Të bllokuar papritur nga një stuhi,shumë prej burrave e grave arritën në takim të lagur e të përbaltur.
Zoti bëri sikur s'i vuri re e u dhuroi shpirtin edhe secilit prej tyre,por nga sasia e paktë që kish tepruar.
I ngjitur përsëri në qiell,Ati i Madh sodiste nga lart veprën e tij:e s'dinte ta fshihte kënaqësinë: vërtetë, kjo që kishte krijuar, ishte një gjë shumë e çmuar; në ditët që do të pasonin nuk do të mërzitej më nga monotonia.
Mbi tokë, gra e burra ishin të gëzuar :zoti ishte treguar i mirë me ta.
Vetëm të vonuarit,ata që kishin marrë një shpirt të kursyer,herë pas here i shmangeshin rregullave që udhëhiqnin gjithë botën.
Filloi njëri,një ditë, të thoshte një gënjeshtër të vogël.Por së shpejti u imitua nga të tjerë që e kishin shpirtin si ai.
Gënjeshtrat filluan të gjallonin në të gjithë tokën.
Duke vrojtuar nga lart,zoti,i gjithëdijshëm, e kuptoi shpejt se çfarë po ndodhte.
Thirri një kuvend të dytë dhe paralajmëroi:
-Shikoj me keqardhje që dikush nga ju përfiton prej inteligjencës që i kam dhuruar,për të mashtruar vëllezërit.Kjo nuk duhet të ndodhë më.
Nëse do të pësëritet,për çdo gënjeshtër do të jem i detyruar të hedh mbi tokë një grimcë rëre.
Burra e gra u kthyen në shtëpitë e tyre ;e kishin kuptuar shumë mirë mendimin dhe vullnetin e Zotit.
Por tashmë zakoni i gënjeshtrës,i mashtrimit,ikeqbërjes, ishte futur kaq thellë në mënyrën e tyre të të sjellurit, saqë nuk ishin më në gjendje të vazhdonin të jetonin më me ndershmërinë e sinqeritetin që i mishëronte në kohët e para.
Zoti i qëndroi besnik fjalës së dhënë.
Siç kishte kërcënuar,për çdo gënjeshtër që dilte nga goja e një njeriu,lëshonte mbi tokë një grimcë rëre.
Në fillim asnjë nga njerëzit nuk vinte re që Zoti po e dënonte mosbesnikërinë e tyre:grimcat e rërës ishin kaq të vockla,sa gëlltiteshin pa vështirësi nga deti,liqenet e pyjet.
Pa kaluar shumë kohë,Zoti u detyrua t'i kërkonte ndihmë këshilltarëve të tij:Gënjeshtrat e shpërndara nga njerëzit ishin shumëfishuar deri në atë pikë,saqë rënia e grimcave të rërës ishte kthyer në një shi të zakonshëm.
Zemërimi i Zotit në drejtim të krijesave të tij mashtruese s'kish ndërmend të qetësohej.
Në disa pjesë të tokës gjelbërimi,i goditur nga ky shi vdekjeprurës ,dalëngadalë po zhdukej.
Prej kohe në këto zona nuk çelnin më lule,thaheshin gëmushat dhe pemët,ndërsa zgjeroheshin gjithnjë e më shumë hapësirat e gjëra të mbuluara prej rërës.
Me keqardhje,zoti vështronte nga larg këtë lëngim; panorama e mrekullueshme e mëparshme,kodrat e ëmbla të mbuluara me gjelbërim e lule,zhdukeshin dalëngadalë për t'i lënë vendin ranishtave të shkreta e të zhveshura.
Një vel i trishtuar kishte mbuluar shpirtin e krijuesit.
Vetëm aty -këtu,në hapësirën e pamasë të rërës së shkretëtirës, lulëzonin oaze të vegjël,rreth puseve të rrallë të ujit,të rrethuar nga ndonjë palmë ose kaktus,shenjë se mbi tokë jetonte akoma dikush që kujtonte bamirësinë e krijuesit të tij,i respektonte vullnetin dhe e adhuronte.

.

PËRRALLA NË SHQIP
Zgjedhur, përkthyer dhe përshtatur nga  Edi Sollaku

FAVOLE IN ALBANESE
Ha scelto, tradotto e adattato
Edi Sollaku